Divorci në shoqërinë shqiptare / gazeta shekulli

DIVORCI NË SHOQËRINË SHQIPTARE
Gazeta „SHEKULLI“

Tashmë nuk ka asnjë dyshim! Divorci po e gërryen institucionin e martesës edhe në Shqipëri. Shifrat që publikohen nga gjykatat dhe media e dëshmojnë këtë të vërtetë të hidhur. Natyrisht divorci nuk është fenomen social, tërësisht i keq, që vetëm duhet anatemuar si shkatërrimtare e martesës. Ai duhet parë dhe duhet interpretuar drejt, si dukuri me dimension dhe funksion polivalent, me natyrë biologjike, me shkaqe sociale, juridike e kulturore. Shtimi i divorceve, zgjerimi i përmasave statistikore të prishjes së martesave dhe familjes, sot në kushtet e shoqërisë moderne, konsiderohet si dukuri sociale me përmasa universale, një nga tiparet e shoqërisë bashkëkohore. Duke u përballur me këtë dukuri, në këto përmasa të zgjeruara, sociologët kanë arritur në konkluzion, të vërtetuar nga realitetet statistikore nacionale, se në kohën e sotme martesa po bëhet institucion i paqëndrueshëm.

Edhe shoqëria jonë duket se po e braktis tabunë, konceptin e martesës unikale të përjetshme. Tani ka tentative për të dalë nga besnikëria e martesës së mbyllur. Nuk janë vetëm burrat që kanë këtë përgjegjësi. Po aq e kanë përgjegjësinë edhe gratë. Ato sot janë më të lira, më të pavarura, fitojnë, studiojnë, udhëtojnë. Ato duke jetuar në shoqërinë moderne, kanë mundësi më të shumta të kenë jetë në vetmi, madje edhe pse mund të jenë të martuara.

Në seancat gjyqësore të ndarjes së shumë çifteve, ka gjithnjë fakte që flasin për martesë asimetrike, sipas së cilës, njëri nga pjesëtarët e çiftit i qëndron besnik martesës, kurse tjetri noton në aventurat e tradhtive, të lidhjeve paralele, si kompensim për pakënaqësinë ndaj partnerit, apo për donzhuanizëm, për zbavitje erotike, apo narcizëm, maskilist apo feminist. Natyrisht, një martesë e tronditur në mënyrë sistematike nga tradhtia e brendshme e çiftit, normalisht që është në rrugën e sigurt të shkatërrimit të saj. Në këtë rast, divorci është një mjet që korrigjon një martesë të gabuar, të bërë nga dy njerëz të gabuar, që nuk janë të përshtatshëm për njëri-tjetrin.

Nuk mungojnë edhe rastet e prishjes së martesës për arsye shpirtërore. Kur njëri nga partnerët është agresiv, i dhunshëm, depresiv, nuk ka dëshirë të zgjojë gjërat e bukura të martesës dhe të jetës bashkëshortore, është pesimist, atëherë ai ndikon negativisht mbi martesën duke e bërë atë barrë të rëndë e të mërzitshme. Në këtë rast pseudo-riparimi i martesës është pa vlerë dhe divorci është shpëtim. Në ndarjet e arsyeshme divorcet janë të mira, me vlerë pozitive. Ai është një nga mjetet që garanton lirinë e lidhjes dhe të zgjidhjes së martesës, të një marrëdhënieje martesore që nuk funksionon.


Comments